Në kuadër të fushatës 16-ditore kundër dhunës me bazë gjinore, e cila përfundon më 10 dhjetor – Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, “Gazetarët për të Drejtat e Njeriut” nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Komunën e Dibrës. Ky bashkëpunim shënon fillimin e një iniciativë për të mbështetur vajzat në dy shkolla duke organizuar punëtori me temë “Higjiena menstruale dhe varfëria menstruale”.

Punëtoritë synonin të rrisin ndërgjegjësimin për pubertetin dhe menstruacionet, si dhe të thyejnë stigmën rreth këtyre temave. Gjatë aktiviteteve u theksuan sfidat me të cilat ballafaqohen vajzat në shkolla, si ambientet e papërshtatshme sanitare dhe mungesa e mjeteve elementare të higjienës, si uji i nxehtë, sapuni dhe letra higjienike.

Gjithashtu, përmes një donacioni nga një kompani me përgjegjësi shoqërore, e cila dëshironte të mbetej anonime, të gjitha vajzave iu siguruan paketa menstruale, duke i garantuar mbështetje deri në fund të vitit shkollor.

Kjo nismë është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të kushteve të barabarta për të gjithë studentët dhe mbështetjes së vajzave të reja, të cilat shpesh përballen me sfida që lidhen me të drejtat themelore të njeriut. Ndonëse fushata 16 ditore po përfundon, ky aktivitet nxjerr në pah përkushtimin për të vazhduar punën në këtë drejtim dhe i hap rrugën aktiviteteve të ardhshme që do të kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe edukimit të të rinjve.

Përmes kësaj nisme, Komuna e Dibrës dhe “Gazetarët për të Drejtat e Njeriut” demonstrojnë se si veprimi i përbashkët mund të çojë në ndryshime të qëndrueshme dhe përmirësim të jetës së të rinjve në shoqërinë tonë.